“Pasoj me sy mbyllur, tani duam fitore ndaj Koln”, Fisnik Asllani beson në suksesin e Hoffenheimit
Sulmuesi Fisnik Asllani thotë se duhet të vazhdojnë të fokusohen ndeshje pas ndeshje, ndërsa është i lumtur që ka vendosur rekord të ri në klub.
Asllani e gjeti rrugën drejtë golit pas një periudhe të gjatë, ku shënoi në fitoren kundër Freiburgut, kurse po synojnë të zënë një vend në Ligën e Kampionëve.
Për faqen zyrtare të klubit gjerman, ylli i Kosovës thotë se merituan fitoren ndaj Freiburgut, kurse shtoi se janë mësuar aq mirë me bashkëlojtarët sa po “pason me sy mbyllur”.
"Është fitore e merituar, edhe me këtë diferencë golash. Ishim pak të pafat në pjesën e parë, por kemi shpërblyer veten në të dytën. 'Ne' është parësore në ekipin tonë. Kemi përvetësuar rutinat tona".
"Ndonjëherë e pasoj topin me sy mbyllur, pasi e di saktësisht se ku është dikush. Kur punët shkojnë mirë, natyrisht shumë gjëra janë më të lehta. Por duhet të punosh për këtë".
I pyetur për golin, Asllani shtoi se pati edhe pak fat megjithatë është i lumtur me tre pikët, ndërsa synojnë të regjistrojnë tjetër fitore në ndeshjen e ardhshme.
"E kam goditur topin me pjesën e pasme të kokës dhe për fat shkoi pak nën shtyllë. Është gjë e madhe të thyesh rekordet e klubit. Është shenjë fantastike se puna e madhe shpërblehet dhe që po fitojmë kaq shumë ndeshje rresht në shtëpi. Tani synimi i radhës është të marrim tri pikët e radhës në Koln. Shkojmë hap pas hapi", nënvizoi ai.
Ndërkohë, Asllani është aktualisht golashënuesi i 11-të në Bundesliga me shtatë gola e katër asistime.