Rama: Bllokimi i buxhetit të kryeqytetit, ndëshkim për qytetarët
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përfundojë pikën e fundi të rendit të ditës e që ishte shqyrtimi i parë i projektligjit për buxhetin e këtij viti.
Opozitarët kërkuan që seanca të shtyhet për tri ditë në mënyrë që të diskutohet kjo çështje, shkruan Zeri.info.
Menjëherë pas kësaj, ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se buxheti përsëri po bllokohet buxheti i Prishtinës.
Sipas tij, ky veprim nga Qeveria nuk po bëhet për shkake teknike apo administrative, por për ta dobësuar kryeqytetin.
“Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional.
Le ta them qartë: kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve”, thuhet në reagimin e Ramës.
Prishtina nuk është pronë e asnjë partie. Prishtina është Kryeqyteti i Republikës. Nëse Qeveria mendon se mund ta përdorë si mjet presioni politik, atëherë po gabon rëndë.
Madje, i pari i Prishtinës u shpreh se nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, do të ndjek rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë.
“Do ta bëjmë këtë publikisht, hapur dhe pa kompromis.Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve.Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet” shkroi ndër tjera Rama. /Zëri