Avokati: Drejtori i shkollës “Pavarësia” ishte fyer dhe kërcënuar me jetë nga nxënësi

Pas ngjarjes së ndodhur më 9 shkurt 2026 në SHFMU “Pavarësia” në Prishtinë, ka reaguar Rinor Bajrami, avokati i autorizuar i drejtorit të shkollës, H.B., duke paraqitur sqarime lidhur me rrethanat që, sipas tij, i kanë paraprirë incidentit.

Në reagim thuhet se më 5 shkurt 2026, drejtori kishte paraqitur kallëzim penal ndaj nxënësit A.O. për kanosje me vrasje, si dhe për sharje e fyerje të rënda ndaj tij dhe familjes së tij, duke theksuar se organet e rendit kishin qenë të njoftuara për situatën disa ditë para publikimit të rastit, transmeton Zeri.info.

Sipas avokatit, më 9 shkurt drejtori është përballur sërish me sharje dhe fyerje, përfshirë edhe fyerje të rëndë ndaj vajzës së tij dy vjeç e gjysmë, si dhe me kanosje të drejtpërdrejtë për jetën nga i njëjti person. Reagimi i tij, thuhet në deklaratë, ka ndodhur në ato rrethana konkrete, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kanosjes.

“Më 9 shkurt 2026, ai është përballur sërish me sharje ndaj familjes së tij, me fyerje të rëndë të vajzës së tij 2 vjet e gjysmë dhe me kanosje të drejtpërdrejtë për jetën nga i njëjti person. Reagimi i tij ka ndodhur në ato rrethana konkrete, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kanosjes. Menjëherë pas momentit kritik, ai vetë ka ftuar policinë dhe ka raportuar ngjarjen”, ka thënë Bajrami.

Në reagim theksohet gjithashtu se menjëherë pas momentit kritik, drejtori ka ftuar vetë policinë dhe ka raportuar ngjarjen.

Avokati vlerëson se përgjegjësia penale e klientit të tij duhet të analizohet në kontekstin e plotë faktik dhe juridik, duke mos u shkëputur nga rrethanat paraprake. Ai shton se çdo vlerësim përfundimtar i takon organeve të drejtësisë dhe se gjykimi publik i parakohshëm nuk i shërben as së vërtetës dhe as drejtësisë.

Kujtojmë se në një prononcim për “Zërin” psikologu i shkollës Nazim Mahmuti, ka thënë se 10 nxënës kishin shkuar në sallën ku ndodhej mësimdhënësi dhe e kishin sulmuar fizikisht. Si pasojë e kësaj mësimdhënësit kishin bojkotuar mësimin të nesërmen në dy orët e para të mësimit. /Zëri