Komisioni për Buxhet miraton Projektligjin për ndarjen buxhetore për këtë vit

Me 6 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2026.

Para deputetëve ministri i Financave Hekuran Murati, teksa prezantoi projektbuxhetin e 2026-tës dhe marrëveshjet ndërkombëtare, pati një lutje për deputetët e komisionit.

“Lutja ime do të ishte që këtë procedim ta bëjmë sa më shpejt që është e mundur, pra çdo herë duke e respektuar nevojën e deputetëve që të kenë shqyrtim, por që kjo mos të bëhet sikur në seancën e rregullt dhe pa kohë, sepse ne nuk jemi në presion të kohës. Do të ishte në tetor apo pas dy muajsh afati kur do të hynte buxheti në fuqi, do të ishte në rregull, mirëpo në këtë rast, siç e thashë, as ne si qeveri, sapo kemi marrë detyrën nga Kuvendi, e kemi proceduar dhe nuk kemi bërë fare asnjë ndryshim përveç pjesës tekstuale sa i përket buxhetit për komuna, sepse ka disa komuna që tani i kanë dorëzuar propozimet e tyre, pra kemi paraparë momentin që ato propozime bëhen pjesë e tabelave buxhetore, si dhe kjo pjesë e ndarjes së dikastereve nëse p.sh. kjo pjesë bie mbi dikasterin e ri që krijohet apo mbetet. Ajo që është me rëndësi për ne është që deri në fund të muajit të kemi në fuqi ligjin e ri për buxhetin. Pse këtë? Sepse, përkundër zgjatjes së muajit mars, për të cilën ju falënderoj për miratimin në seancë të rregullt, disa prej shpenzimeve, siç e theksova, kanë tejkaluar 1/12-ën e ndarjes. Pra është dashur që pagesat e janarit të janar-shkurtit të bëhen mbi bazën bazike, është dashur të marrim alokim paraprakisht nga shkurti. Tani në shkurt do të marrim alokim paraprakisht nga marsi. Pra nuk është se janë tre muaj për këtë plotësim, sepse ka pasur ndryshime tek pagat. Pozicioni i parë në buxhetin e vitit 2026 ka pasur rritje prej 55 eurove të koeficientit të pagave, gjë që nuk është reflektuar, pra janari i 2026-ës nuk është i barabartë me janarin e 2025-ës, është për 55 euro më i lartë për secilin koeficient. Prandaj është e nevojshme të sillet sa më shpejt kjo balancë dhe jo domosdo janë tre muaj zgjatje tek shpenzimet e tjera, ashtu siç u tha. Prandaj për ne është tepër e rëndësishme që deri në fund të muajit, sepse kur shkojmë prapa prej fundit të shkurtit, ne e dimë që aty ka disa afate procedurale që Presidentja i ka 8 ditë apo 15 ditë për ta nënshkruar”, tha ai.

Kryetari i komisionit, Kujtim Gashi, kërkoi që procedura të jetë e rregullt, në mënyrë që të ketë më pas diskutime dhe të jetë mundësia që deputetët të bëjnë amendamentim.

“Së pari, më vjen keq që kemi pasur pak vonesë për shkak të seancës së djeshme të Komisionit për Buxhet, sepse për këtë kemi marrë miratimin, ndërkohë në parim jemi për këtë shtyrje të afatit, për shkak se buxheti është ende në masën që është caktuar dje. Pyetjen që kam për ministrin, edhe në atë që kemi folur në komision, me qëllim që të jemi sa më korrekt në parim, kërkojmë që procedura të jetë e rregullt, të kemi diskutim, të kemi debat, të kemi mundësi që deputetët të bëjnë amendamentim, ndryshe sot po kalon në parim, unë nuk kisha dashur që ta përfundojmë me procedurë të shpejtuar, për shkak se besoj që deri në fund të muajit kemi kohë të mjaftueshme për ta përfunduar si proces. Përndryshe, nuk kishim pasur as kundërshtim nëse deputetët kishin pasur mundësi, hapësirë edhe në analizimin e strukturës, edhe në vërejtjet e tjera, pra natyrisht dhënien e amendamenteve, sepse fundja ne këtu jemi për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të Republikës, i cili besoj që secili kemi diçka për të thënë dhe diçka për të ndryshuar në buxhet, edhe pse forma natyrisht që rregullohet nëpërmjet amendamenteve dhe secila parti prezanton ato. Në parim jemi për, me shpresën që nuk do të ketë procedura të shpejtuara për rishikimin e buxhetit”, tha Gashi.