Trumpi anulon bazën ligjore të politikave klimatike në SHBA, përplasje e ashpër me demokratët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndërmarrë një nga vendimet më të forta të mandatit të tij të dytë, duke shfuqizuar një konstatim shkencor të vitit 2009 që shërbente si bazë ligjore për politikat federale kundër ndryshimeve klimatike.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Trump njoftoi se po revokon të ashtuquajturin “endangerment finding”, një vendim i miratuar gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama, i cili përcaktonte se ndotja e ajrit dëmton shëndetin publik dhe mjedisin. Për gati 17 vite, ky konstatim është përdorur për të justifikuar ligjërisht rregulloret që kufizonin emetimet nga makinat, centralet elektrike dhe burime të tjera të gazrave serrë.

Trumpi e cilësoi këtë rregull si “radikal” dhe e akuzoi Partinë Demokratike për ndjekjen e një agjende ekstreme mjedisore. Sipas tij, shfuqizimi i këtij vendimi do të çlirojë ekonominë amerikane nga rregulloret e tepërta dhe do të ulë kostot e energjisë për konsumatorët.

Presidenti argumentoi se mbështetja më e madhe për lëndët djegëse fosile, në vend të energjisë së pastër, do të ndikojë pozitivisht në çmimet e energjisë dhe do të forcojë industrinë amerikane, veçanërisht sektorin e automobilave. Ai shtoi se ky vendim do të heqë edhe atë që e quajti “detyrim për automjetet elektrike”, të vendosur gjatë presidencës së Joe Biden. Megjithatë, ligji i miratuar nën administratën Biden parashikonte zgjerimin e rrjetit të karikimit dhe stimuj tatimorë për automjetet elektrike, por jo detyrim për blerësit.

Administratori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin, e cilësoi vendimin si “aktin më të madh të çrregullimit në historinë e SHBA-së”, duke pretenduar se politikat e mëparshme klimatike kishin penguar zhvillimin ekonomik.

Nga ana tjetër, demokratët dhe organizatat mjedisore reaguan ashpër. Ish-presidenti Barack Obama deklaroi se vendimi do ta bëjë vendin “më pak të sigurt dhe më pak të përgatitur për të luftuar ndryshimet klimatike”, duke akuzuar administratën Trump se po favorizon industrinë e lëndëve djegëse fosile.

Gjatë mandatit të parë, Trump tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe anuloi disa rregullore mjedisore të periudhës Obama. Në nisje të mandatit të dytë, ai përmbysi sërish vendimin e administratës Biden për rikthimin në këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Çështja e klimës pritet të jetë pjesë e debatit politik përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit. Megjithëse ekonomia dhe kostoja e jetesës mbeten prioritetet kryesore për votuesit, sondazhet tregojnë se shqetësimi për ngrohjen globale është në rritje.

Sipas të dhënave të fundit, një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve shprehen të shqetësuar për ndikimin e ndryshimeve klimatike në jetën e tyre, duke e kthyer këtë temë në një çështje me peshë si politike ashtu edhe shoqërore. /abcnews