Ndalohen për 48 orë shtatë kryesues të vendvotimeve në Klinë

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë shtatë kryesues të vendvotimeve në komunën e Klinës, në kuadër të hetimeve për procesin e numërimit të votave.

Sipas njoftimit zyrtar, pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve, lidhur me procesin hetimor që po zhvillohet për numërimin e votave në këtë komunë.

Në njoftim bëhet e ditur se, pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, është marrë vendim për ndalimin 48-orësh të shtatë kryesuesve të vendvotimeve.

“Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do t’i parashtrojë gjykatës kompetente kërkesën për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara për ruajtjen e integritetit të votës së lirë të qytetarëve, ndjekjen penale të personave të dyshuar dhe ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Zëri