S’ka masë lehtësuese për të akuzuarit në vrasjen e policit Lika, refuzohen kërkesat për arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Ferizaj ka refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarve Diamant Gashi dhe Rilind Murati me masa më të buta, të cilët akuzohen për vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika në mbrëmjen e 1 prillit 2025.

Kërkesat u paraqitën gjatë seancës gjyqësore nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa gjykata vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë në këtë fazë të procedurës.

Avokatja Fehmije Bytyqi kërkoi që klientit të saj, Diamant Gashi, masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak ose një masë tjetër më të butë.

Avokati Musa Konxheli, duke mbështetur deklarimin e klientit të tij Rilind Murati, kërkoi zëvendësimin e paraburgimit me masë alternative, duke argumentuar se pas ngritjes së aktakuzës provat janë në duart e institucioneve dhe sipas tij nuk ekziston rrezik i ndikimit në prova, dëshmitarë apo shmangie nga drejtësia.

Kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, tha se gjykata ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për ndërprerjen ose zëvendësimin e masës së paraburgimit për dy të akuzuarit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

“Në respektim të dispozitave ligjore, gjykata refuzon propozimin e avokatëve mbrojtës, që të akuzuarit Diamant Gashi dhe Rilind Murati të ndërpritet masa e paraburgimit ose t’u zëvendësohet me një masë alternative”, tha ai. /EO