Rasti “Sekiraqa – Capat”, aktakuzë ndaj nëntë personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se, pas përfundimit të hetimeve, ka ngritur aktakuzë kundër nëntë të pandehurve.

Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R.; V.A.; D.M.; E.M., të grupit të njohur me nofkën “C’’, më datën 01.09.2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, në bashkëkryerje, pas një marrëveshjeje paraprake, janë mbledhur, janë maskuar dhe janë pajisur armë të gjata dhe armë të shkurtra (revole), si dhe mjete të forta (stupca). Të njëjtët kanë marrë në përdorim tri (3) vetura të markave “Porsche”, “Volkswagen Polo” dhe “Audi A7”, të cilave ua kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura duke tentuar ta privojnë nga jeta të pandehurit tjerë S. S., dhe anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A; E.LL. dhe R.LI.

Me këto veprime, sipas PTH-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë’’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.5 dhe 1.11, lidhur me Nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu të njëjtët akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, par. 1 i KPRK-së.

“Ndërkohë, i pandehuri S. S., së bashku me anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A; E.LL, dhe R.LL. me dashje dhe dijeni, të përgatitur me armë zjarri, në bashkëkryerje dhe me qëllim të privimit nga jeta dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes të dy grupeve, në po në të njëjtin vend kanë privuar nga jeta të ndjerin P:G, dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe të pandehurit tjerë. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, nga Neni 173, par. 1, nënpar. 1.5 dhe 1.11 lidhur me Nenin 31 të KPRK-së. Po ashtu të njëjtët akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri V.B. akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me prova”, nga Neni 389, par. 1, të KPRK-së, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 366, par. 1 i KPRK-së.

“Sipas hetimeve, motivi i këtij sulmi lidhet me një konflikt të mëhershëm të datës 04.03.2024, të ndodhur ndërmjet SH.S. (djalit të të pandehurit S.S) dhe P.G. (vëllait të tani të ndjerit P.G.), konflikt i cili ka përshkallëzuar armiqësinë ndërmjet dy grupeve. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurve të lartcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në komunikatë.