Bashkimi mposht Sigal Prishtinën dhe i bashkohet Trepçës në finale

Bashkimi ka shënuar një fitore të qartë edhe në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në basketboll, duke siguruar kështu vendin në finalen e këtij edicioni.

Pas fitores 83:67 në “Sezai Surroi” në Prizren, prizrenasit dominuan edhe në “1 Tetori” në Prishtinë, ku fituan 85:69.

Me këtë sukses, Bashkimi i bashkohet Trepçës në finale, e cila do të zhvillohet më 18 shkurt. Kjo finale sjell përballjen e njëjtë që u luajt edhe në shkurt të vitit të kaluar, kur Trepça fitoi për të katërtin herë radhazi trofeun e Kupës së Kosovës.

Ndeshja në Prishtinë ishte e barabartë vetëm në pjesën e parë, ku rezultati ishte 40:36 në favor të Bashkimit.

Më pas, epërsia e prizrenasve u thellua në periudhën e tretë dhe të katërt, duke e siguruar fitoren me një diferencë të konsiderueshme.

Te Bashkimi, Lejson Zeqiri ishte lojtari më i dalluar, me 11 pikë, shtatë kërcime dhe pesë asistime.

Ndërsa te Sigal Prishtina, Adrio Bailey shënoi 27 pikë, mori nëntë kërcime dhe dha dy asistime, duke qenë më i dalluari i ekipit.

Bashkimi tashmë pritet të jetë rival serioz edhe për titullin kampion, duke qenë se në Superligë ndodhet në vendin e dytë, pas Trepçës që mban kreun e tabelës.