Abdixhiku: LDK-ja e gatshme për bashkëpunim institucional në Parlament

Pas prezantimit të ekspozesë për kabinetin e ri qeverisës nga Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit foli kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në fjalën e tij, deputeti Abdixhiku uroi kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, por detyrën e re.

“Ky është një rol i zakonshëm dhe jashtëzakonshëm institucional, sepse drejtimi i Kuvendit nuk matet vetëm me një korrektësi procedurale por me aftësinë për të ruajtur barazinë e zërave, dinjitetin e debatit dhe masën e pushtetit në një vend që e njeh mirë se sa e brishtë bëhet demokracia kur institucionet e humbin ekuilibrin e tyre”, tha Abdixhiku.

“Uroj që kjo detyrë të ushtrohet me pjekuri, me durim dhe vetëdije për rolin që Kuvendi ka në jetën demokratike të Kosovës si shtëpi e përbashkët e përfaqësimit politik, dhe si garanci që asnjë shumicë, sado e fuqishme të jetë, të mos harrojë se pushteti është i përkohshëm, ndërsa institucioni është i përhershëm”.

Ai tha se LDK-ja shpreh gatishmëri për bashkëpunim institucional në Parlament “për tema që tejkalojnë aritmetikën parlamentare sepse besojmë se stabiliteti i shtetit ndërtohet me maturi e me respekt për opozitën, dhe me vetëdije se demokracia nuk është vetëm çështje numrash, por një çështje e kulturës politike”.

Duke iu drejtuar qytetarëve, kreu i LDK-së tha: “Uroj të keni zgjedhur drejt. Ne jemi të bindur se jo, por verdikti juaj duhet të japë rezultate konkrete për ju, jo për fitoret apo humbjet tona këtu”.

“Vullneti qytetar ka folur qartë, dhe ky vullnet e ka vendosur LDK-në në opozitë, të cilin e pranojmë sepse respekti për votën është themeli i çdo demokracie serioze”, u shpreh ai.

  • Hamza: PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës, drejtësisë në Hagë dhe e interesit shtetëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, para votimit të Qeverisë së re, theksoi se legjislatura e dhjetë fillon punën në një moment të rëndësishëm për vendin, kur qytetarët presin stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe institucione me integritet të lartë profesional.

Hamza vlerësoi se kjo përbërje e re parlamentare është rezultat i vullnetit qytetar dhe një dëshmi e rrugës së vështirë të shtetndërtimit, duke theksuar se nderi i drejtimit të institucioneve buron nga sakrifica e shumë gjeneratave dhe nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.

Ai theksoi se përgjegjësia e kësaj legjislature duhet të përkthehet në veprime konkrete: respektim të plotë të Kushtetutës, forcim të sundimit të ligjit, politika të përgjegjshme ekonomike, mbështetje për sektorin privat, rritje të mirëqenies sociale dhe rikthim të besimit me aleatët ndërkombëtarë.

Kryetari Hamza theksoi se PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës dhe do t’i rezistojë çdo tendence që cenon germën dhe frymën e saj, duke kujtuar se në vitet e fundit janë miratuar ligje të shumta që më pas janë shpallur jokushtetuese.

Në fjalën e tij, Hamza bëri thirrje për unitet institucional dhe politik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, duke kërkuar qasje dinjitoze, të matur dhe unifikuese ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kryetari Hamza njoftoi se në seancën e parë të punës së Kuvendit, PDK do të procedojë për votim rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, tashmë të dorëzuar në Kuvend, me të cilën kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në respektim të plotë të të drejtave të njeriut.

Ai theksoi se shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara duhet të sigurojnë që gjykata të operojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe të marrin përgjegjësi në rast të shkeljes së këtyre standardeve.

Kryetari Hamza konfirmoi se PDK do të mbështesë çdo iniciativë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit, por do të mbrojë pa kompromis interesin publik, rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Përkrahja për konsensus nuk është shenjë dobësie, por përgjegjësi shtetërore. Ne do të japim kontributin tonë për marrëveshje në të mirë të Kosovës, por pa bërë kompromis me interesin shtetëror”, u shpreh kryetari Hamza.

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për unitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mbrojtje të dinjitetit të shtetit të Kosovës./Zëri

  • Kurti: Qytetarët shënuan rekord historik me mbështetjen ndaj LVV-së

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve në Kuvend, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe angazhimin e treguar gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar rolin e tyre vendimtar në forcimin e demokracisë në vend.

Kurti u shpreh se falë qytetarëve është shënuar edhe një rekord i ri historik, duke e cilësuar rezultatin si të rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Të dashur qytetarë, lejoni që së pari t’ju falënderoj juve, ata që votuat Lëvizjen Vetëvendosje dhe ndihmuat në shënimin e një rekordi historik. Ky rezultat është i rëndësishëm, por dua gjithashtu të falënderoj të gjithë ata që votuan partitë e tjera. Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje dhe shprehja e vullnetit të lirë janë dëshmi e angazhimit të lartë qytetar për forcimin e demokracisë dhe procesit zgjedhor”, ka deklaruar Kurti.

  • Kurti nga Kuvendi: Gjykimi në Hagë po mohon të vërtetën e luftës çlirimtare

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur fjalimin e tij në Kuvend duke iu referuar procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kurti tha se seancat po mbahen në orët e pasdites pikërisht për shkak të zhvillimit të fazës përfundimtare të këtij procesi gjyqësor, duke përmendur drejtpërdrejt emrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.

“Këto dy seanca po i mbajmë pasdite, sepse këto ditë po zhvillohen seancat e fundit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së… Kërkesa e Prokurorisë për nga 45 vjet burg për secilin është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare,” deklaroi Kurti.

Ai theksoi se qëndrimi i institucioneve të Kosovës është i qartë, duke shtuar se krimet kundër njerëzimit ndaj popullatës civile në Kosovë janë kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, e jo nga UÇK-ja.

  • 21:13 Nis seanca, pritet votimi i qeverisë së re

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme e thirrur për votimin e qeverisë së re.

Në këtë seancë, Albin Kurti i mandatuar nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e qeverisë së re, pritet të paraqes programin dhe përbërjen e qeverisë së re, transmeton Zeri.info.

Kujtojmë se gjatë ditës, është mbajtur seanca ku është konstituar Kuvendi, derisa kryetarja e zgjedhur Albulena Haxhiu ka marrë 66 vota për.

Pas pak pritet të mësohet se sa vota ka Albin Kurti për qeverinë e re. /Zëri