Sorensenit i zgjatet mandati deri më 2028

Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur zyrtarisht të zgjasë për dy vjet mandatin e Përfaqësuesit Specialë të BE-së për Dialogun Beograd–Prishtinë deri në vitin 2028.

Sipas vendimit të miratuar sot nga Këshilli, Peter Sørensen do të vazhdojë detyrën si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd–Prishtinë deri më 29 shkurt 2028, transmeton Zeri.info.

Ai ishte emëruar për herë të parë në këtë post në janar 2025 dhe konsiderohet figurë kyçe në ndërmjetësimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit Specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë i Unionit dhe emërohen nga Këshilli, me qëllim promovimin e politikave dhe interesave të Bashkimit Evropian në rajone, vende dhe fusha me rëndësi strategjike për BE-në. Ata luajnë rol aktiv në forcimin e reformave, stabilitetit institucional dhe sundimit të ligjit.

Aktualisht, 11 Përfaqësues Specialë të BE-së mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në zbatimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. /Zëri