Nis mbledhja e Bashës me kryetarët e partive, temë seanca konstituive

Ka filluar mbledhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, me kryetarët e subjekteve politike, raporton Ekonomia Online.

Në takim janë duke marrë pjesë përfaqsues të partive politike.

Takimi është duke u mbajtur në sallën e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit. Rendi i ditës është vetëm një pikë: përgatitjet për Seancën konstituive të Legjislaturës të dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Nesër, saktësisht në orën 12:00, deputetët e zgjedhur do të mbledhen në Kuvend për ta konstituuar legjislaturën e dhjetë.

Pas një periudhe të gjatë ngërçi politik, zgjedhjeve të reja dhe pas verdiktit që qytetarët dhanë në kutitë e votimit më 28 dhjetor, presidentja Vjosa Osmani ka thirrur nesër seancën konstituive për të formuar legjislaturën e dhjetë.

E drejta për të propozuar Kryetarin i takon subjektit fitues të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e mbajtura më 28.12.2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si partia e parë me më së shumti vota do të ketë 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.

Nga 120 deputetët që përbëjnë Kuvendin e Kosovës, 20 janë të garantuara me Kushtetutë për komunitetet joshumicë që jetojnë në vend.

Nga këto 20, dhjetë janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

9 prej tyre do t’i zë Lista Serbe, një Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dy ulëse do të zënë dy deputetë nga Partia Turke Demokratike e Kosovës.

Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.