Në mungesë të prokurores, dështon të mbahet seanca për vrasjen e të miturit në 2020-ën në Prishtinë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca e së martës në rastin e vrasjes së të miturit L.B., në mars të 2020-ës në Prishtinë, ku po akuzohen Eduard Ibrahimi, Përparim Ibrahimi dhe Lirim Begolli.

Kryetarja e trupit gjykues, Sulltane Hoti konstatoi se nga Prokuroria kanë pranuar e-mail me të cilin është kërkuar anulimi i seancës për arsye shëndetësore të prokurores së rastit, Fitore Sadikaj, ndërsa kanë njoftuar se në këtë seancë nuk mund të jetë i pranishëm askush nga prokurorët.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua për një datë tjetër.

Në këtë rast, së bashku me Eduard Ibrahimin, Lirim Begollin dhe Përparim Ibrahimin akuzohet edhe Egzon Matoshi, për të cilin vazhdon të jetë e veçuar procedura, pasi i njëjti është i paarritshëm për gjykatën.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 qeshor 2022 kishte dënuar Eduard Ibrahimin me 22 vite burgim, si dhe Egzon Matoshin me 2 vite burgim, Përparim Ibrahimin me 3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë, kurse Lirim Begollin me 2 vite e 6 muaj burgim, lidhur me vrasjen e të miturit L.B.

Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë më 21 nëntor të vitit 2022.

Ndërsa Gjykata Supreme, më 25 maj 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë nuk kishte arsyetuar asnjërën prej provave të administruara, por vetëm e kishte mohuar mbrojtjen e nevojshme me arsyetimin se nuk ishte shtënë nga arma, edhe pse ekspertiza mjeko-ligjore e thotë të kundërtën dhe se vendimi ndaj Ibrahimit ishte jo i drejtë, pasi dënimi ishte i lartë duke pasur parasysh moshën e tij 19-vjeçare në kohën e kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Kurse të akuzuarit Egzon Matoshi, Lirim Begolli, Përparim Ibrahimi po akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale dhe i akuzuari Përparim edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi