FSK-ja, pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Dynamic Front 26” në Gjermani

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një tog mortajash, po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).

Ushtrimi fushor “Dynamic Front” është një stërvitje shumëkombëshe që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe forcave partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt. Sivjet, ushtrimi po zhvillohet paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.

FSK-ja ka zbarkuar në Gjermani, në Grafenwöhr Training Area, me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.

Kontingjenti i FSK-së ka vepruar në bashkëveprim me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Togu i mortajave, me elementët përbërës – Vijën e Zjarrit, Qendrën e Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesit e Përparmë – si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane.

Gjatë ushtrimit “Dynamic Front 26”, FSK-ja ka demonstruar përvojën dhe kapacitetet e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, duke shkëmbyer njëkohësisht përvoja, mësime dhe praktika më të mira me forcat partnere.

Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të dëshmojë profesionalizëm, disiplinë dhe ndërveprueshmëri me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale. /Zëri