10 nxënës sulmuan mësimdhënësin e shkollës “Pavarësia”, psikologu: U incizua vetëm momenti i fundit dhe u shfrytëzua salla që s’kishte kamera sigurie
Një rast i dhunës fizike është regjistruar pasditen e sotme në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë.
Fillimisht u raportua se e kishte qenë mësimdhënësi ai i cili kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi, mirëpo psikologu i kësaj shkolle, Nazim Mahmuti, ka treguar për “Zërin” versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja në tërësi.
Ai ka thënë se kanë qenë gjithsej 10 nxënës të cilët e kanë sulmuar mësimdhënësin dhe se sipas tij, nxënësit e kanë zgjedhur pikërisht sallën e arsimtarëve, pasi që kjo sallë nuk ka kamera sigurie dhe se ata e kanë incizuar me telefon vetëm momentin e fundit kur arsimtari e godet nxënësin, raporton Zeri.info.
Sipas Mahmutit, nxënësit me inicialet A.O., mësimdhënësi nuk i jep mësim, e madje sipas tij, ky nxënës është nxënës ndaj të cilit janë marrë shumë masa disiplinore.
Po ashtu edhe disa nxënës të klasës së gjashtë kanë thënë për “Zërin”, se mësimdhënësi në fjalë, është njëri ndër mësimdhënësit më të sjellshëm në këtë shkollë.
Theksojmë se nga Policia po ashtu kanë bërë të ditur për “Zërin”, se ky rast tashmë është duke u hetuar.
"Zëri" ka kontaktuar mediumin "Kallxo.com" që ka publikuar videon e incidentit, pas pretendimeve të psikologut Mahmuti, se, shkolla nuk u kontaktua për të folur për rastin para publikimit të videos, ata kanë hedhur poshtë pretendimet e psikologut, duke thënë se është kontaktuar përmes telefonit Halil Brahaj, drejtor i shkollës “Pavarësia”.
"Ai e ka konfirmuar rastin dhe ka pohuar se ka qenë i pranishëm në shkollë në momentin kur ka ndodhur ngjarja", kanë thënë nga mediumi në fjalë.
Më poshtë ju sjellim deklaratën e psikologut Nazim Mahmuti dhënë për “Zërin”:
Ne si shkollë jemi shumë të indinjuar me një raportim, i cili për mendimin tim është një raportim jo profesional, për shkak se është njëburimor është i marrur ndoshta direkt nga nxënësit dhe nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar për mënyrën se si ka ndodhur rasti. Lidhur me rastin, arsimtari në fjalë i cili raportohet në video, është arsimtari i teknologjisë i cili ishte duke e punuar gjithë këtë punë, për shkak se sot një javë, më 16 shkurt ne e kremtojmë ditën e shkollës dhe ai ishte duke i bërë punën e tij të mrekullueshme.
Jemi duke folur për një arsimtar i cili konsiderohet ndër më korrektët dhe më të mirët brenda shkollës dhe një nxënës nga klasa e nëntë me inicialet A.O., do të thotë fyen, shan arsimtarin me një gjuhë shumë të papranueshme dhe skajshmërisht të keqe. Arsimtari reagon, e largon nxnësin, do me thënë e shtyn dhe don me e neutralizu situatën. Ishte ora e pestë kur ai kishte pushim dhe ishte futur në sallën e arsimtarëve për të pirë një kafe dhe nxënësit e shfrytëzojnë momentin që të futen brenda sallës së arsimtarëve. Ai (nxënësi), shkon i thërret edhe nëntë nxënës të tjerë, pra një grumbull nxënësish, pra 10 nxënës futen në sallën e arsimtarëve dhe e sulmojnë arsimtarin.
Dhe ai për me u vetëmbrojt, përmes një karrige nuk mundet dhe nxënësit e tjerë largohen dhe e incizojnë vetëm momentin e fundit kur mësimdhënësi gjuan në drejtim të nxënësit dhe si një masë reagimi që ndoshta është jo krejt normale kur reagon ashtu në një situatë të tillë kur 10 nxënës të sulmojnë.
Logjikisht, vetë fakti që nuk ka ndodhur jashtë këtu, por ka ndodhur në sallën e arsimtarëve për t’iu iku kamerave, për shkak se salla nuk ka kamera brenda dhe do të thotë jemi duke folur për një rast krejt të inskenuar, të manipuluar mirë që me e qit keq imazhin e mësimdhënësit në një situatë të tillë.... Pikë së pari e çka është edhe më me rëndësi, arsimtari as nuk i jep mësim atij nxënësi. Nëse flasim për nxënësin, ai është në një sinotë jo të mirë, është i raportuar për sjellje jo adekuate, është nxënës me numër të lartë të mungesave, vërejtjeve, me numër të lartë të problemeve dhe fyerjeve në drejtim të arsimtarëve.
Do të thotë, të gjitha masat disiplinore që i ka shkolla nën kompetencat e veta, i ka dhënë për nxënësin në fjalë. Do të thotë po flasim për një nxënës i cili e ka një dosje jo të mirë, i cili realizon një qasje të tillë inskenuese në raport me një mësimdhënës i cili është nga më të mirët dhe nga më korrektit në shkollën tonë. /Zëri