Turistët e huaj mahniten nga natyra, por ankohen për infrastrukturën e Brezovicës

Pika turistike e Brezovicës josh shumë adhurues të skijimit dhe turistë që pëlqejnë natyrën dimërore. Megjithatë, mungesa e investimeve e bën disi të vështirë shkuarjen dhe qëndrimin në këtë vend turistik. Investimi i fundit infrastrukturor në Brezovicë është bërë pesë vjet më parë, në rrugën Shtërpcë–Brezovicë. Problem më vete paraqesin edhe vendparkimet.

Noa Beth, turiste nga Amerika, është për herë të parë në Brezovicë. Ajo thotë se i pëlqen shumë natyra, ajri i pastër dhe skijimi në këtë zonë.

“Vij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është hera e parë që jam në Brezovicë dhe gjithçka më pëlqen këtu. Kafja është e shijshme, njerëzit janë të mrekullueshëm, ajri është shumë i pastër, ndërsa skijimi në këto vise malore është i jashtëzakonshëm. Ngjan pak me Nju Meksikon, por atje ka vështirësi, pasi sasia e borës është më e madhe. Megjithatë, do të doja që infrastruktura të rregullohej edhe më mirë në Brezovicë. Sërish do të dëshiroja të vija, sepse më pëlqen skijimi dhe dua të blej këtu disa pajisje skijimi para se të kthehem në shtëpi”, tha Noa Beth, turiste nga Amerika.

Nga Tirana drejt borës, Kosova “pushtohet” nga turistët shqiptar në fundjavë

Skiatorë profesionistë dhe amatorë, nga Kosova dhe diaspora, vizitojnë Brezovicën, ndonëse kanë ankesa për mirëmbajtjen e qendrës së skijimit.

“Në Brezovicë më pëlqen skijimi, por teleferiku është shpesh i mbyllur. Rruga është e mirë, por duhet më shumë pastrim i mbeturinave dhe më shumë hapësira për parkim”, thekson Egzon Kuka, skijator.

“Është mirë, por stazat nuk i kanë rregulluar. Janë dy anësore, ndërsa kjo tjetra, e vogla, nuk është rregulluar fare, vetëm ajo e madhja që quhet ‘Qafa e Luanit’. Deri në orën 9:00 nuk e kanë lëshuar liftin dhe edhe kur e kanë lëshuar, nuk e kanë drejtuar si duhet. Ne me skija jemi detyruar të ecim”, Adem Kushaj, turist.

“Në Brezovicë mungon mirëmbajtja. Si skijator amator do të kisha nevojë për më shumë trajnime. Ato ekzistojnë, por në përgjithësi pistat duhet të jenë më të mira dhe më të mirëmbajtura. Çmimet janë të volitshme dhe për to nuk kam ankesa”, Agron Mazreku, skijator amator.

Alban Tahiri, afarist nga komuna e Shtërpcës, thotë se Brezovicës i mungojnë investimet që do të mund të tërhiqnin turistë nga e gjithë bota.

“Investimi i vetëm është bërë para pesë vitesh, kur u rregullua rruga që më parë ishte në gjendje të keqe. Që atëherë nuk është bërë asnjë investim tjetër. Në momentin që bëhet privatizimi apo rriten investimet, normalisht do të tërhiqen turistë nga e gjithë bota”, tha Alban Tahiri, afarist

Parkingjet e automjeteve në Brezovicë shtrihen me kilometra, ndërsa vizitorët duhet të ecin gati një orë për të arritur në qendrën e skijimit.

Vënia në funksion e teleferikëve në çdo kohë, sigurimi i parkingjeve të mjaftueshme për të gjithë vizitorët dhe përmirësimi i mirëmbajtjes mbesin sfidat kryesore me të cilat përballet kjo zonë turistike e Kosovës. Afaristët dhe vizitorët thonë se këto probleme mund të zgjidhen vetëm përmes privatizimit. /rtk