Leonora Jakupi e prerë ndaj Albës: Nëse do të mbulohesh, dil dhe mbështillu jashtë shtëpisë së Big Brother
Opinionistja e Big Brother VIP Kosova 4, këngëtarja Leonora Jakupi, ka shprehur hapur qëndrimin e saj lidhur me vendimin e Albës për t’u mbuluar brenda shtëpisë më të famshme në vend, një vendim që tashmë ka ndezur debat të gjerë publik.
Gjatë diskutimeve në studio, Leonora u tregua kritike ndaj këtij hapi të ndërmarrë nga banorja, duke theksuar se nuk e sheh të përshtatshme që një vendim kaq personal dhe i lidhur ngushtë me besimin fetar të merret brenda një formati reality. Sipas saj, ky është një hap që duhet bërë jashtë lojës dhe jo nën vëmendjen e kamerave.
“Lësho shtëpinë dhe pështillu jashtë shtëpisë”, u shpreh Leonora, duke lënë të kuptohet se ky vendim nuk duhet të jetë pjesë e dinamikave të Big Brother-it.
Ajo shkoi edhe më tej me deklaratat e saj, duke theksuar se mënyra se si Alba ka vepruar mund të keqkuptohet dhe të lëndojë gra të tjera që e kanë zgjedhur mbulesën si bindje të thellë dhe vendim jetësor. “Kjo që po bën, mendoj se është ofendim për të gjitha gratë që kanë vendosur të mbulohen”, tha Leonora, duke e cilësuar situatën si delikate dhe shumë të ndjeshme.
Deklaratat e opinionistes kanë ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke ndarë publikun mes atyre që e mbështesin qëndrimin e saj dhe atyre që e shohin vendimin e Albës si një zgjedhje personale që duhet respektuar. /telegrafi