Rama pas miratimit të buxhetit: Mesazh i qartë se Prishtina zgjodhi qeverisjen demokratike, përgjegjësinë dhe të ardhmen

Asambleja e kryeqytetit ka miratuar sot buxhetin e Prishtinës për vitin 2026, një vendim që kryetari i Komunës, Përparim Rama, e ka cilësuar si dëshmi të “liderershipit politik” dhe funksionimit të demokracisë lokale.

Përmes një reagimi publik, Rama ka shprehur mirënjohje ndaj asamblistëve për, siç tha ai, përgjegjësinë publike dhe pjekurinë politike të treguar në procesin e miratimit të buxhetit, duke theksuar se ky vendim reflekton një qasje ndryshe ndaj qeverisjes së qytetit.

“Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, buxheti i vitit 2026 nuk është vetëm dokument financiar, por “deklaratë politike” që, siç u shpreh, përfaqëson orientimin e Prishtinës drejt zhvillimit urban, investimeve strategjike dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

Rama ka vlerësuar gjithashtu rolin e qytetarëve të Prishtinës, duke theksuar se vota e tyre ka sjellë përfaqësues që e kuptojnë mandatin si shërbim publik dhe përgjegjësi institucionale.

“Ky është mesazhi i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë dhe të ardhmen”, ka përfunduar ai.

Miratimi i buxhetit hap rrugën për planifikim urban, investime dhe projekte zhvillimore që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kryeqytetit gjatë vitit 2026.