Osmani: Kosova, e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me presidentin e Emirateve, lartmadhërinë e tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Osmani ka vlerësuar lart mikpritjen dhe takimin me presidentin e Emirateve, duke theksuar rolin e tij vizionar dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën ndër vite.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është rikonfirmuar partneriteti i fortë mes dy vendeve, i cili sipas saj ka hyrë në një fazë të re bashkëpunimi, që përfshin liberalizimin e vizave dhe kontributet konkrete të Emirateve në fusha të ndryshme të zhvillimit.

Po ashtu, ajo ka theksuar se presidenti Mohamed bin Zayed ka shprehur mirëkuptim dhe mbështetje të plotë për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në sektorë të tjerë zhvillimorë, të cilat janë prezantuar gjatë vizitës, transmeton Zeri.info.

Presidentja Osmani shkroi:

E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot.

Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit. Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm. Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje.

Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve.