Zyrtare: Bayern Munichu e “blindon” Serge Gnabryn
Serge Gnabry ka vendosur ta vazhdojë bashkëpunimin edhe më gjatë të Bayern Munichun, duke rinovuar kontratën me klubin bavarez deri në vitin 2028.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Bayern Munichu të enjten, duke i dhënë fund çdo dileme rreth së ardhmes së anësorit gjerman, i cili mbetet një nga figurat kyçe të skuadrës.
Gnabry është pjesë e Bayernit që nga viti 2018 dhe gjatë kësaj periudhe është shndërruar në një element të rëndësishëm të repartit ofensiv. Në edicionin aktual, 30-vjeçari ka regjistruar 24 paraqitje në të gjitha garat, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në fazën sulmuese të skuadrës.
Në total, Gnabry ka zhvilluar 309 ndeshje me fanellën e Bayern Munichut, statistika që pasqyrojnë vazhdimësinë dhe besimin e klubit ndaj tij. Në këto paraqitje, ai ka realizuar 100 gola dhe ka asistuar 70 herë për bashkëlojtarët.
“Synimi është që të vazhdoj kështu. Jemi të bashkuar dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha. Ndihem rehat te Bayerni, me ekipin, stafin e trajnerëve, gjithë klubin, tifozët, qytetin dhe ambientin”, ka deklaruar Gnabry pas rinovimit të kontratës.
Me këtë marrëveshje të re, Bayern Munichu siguron vazhdimësinë e një prej lojtarëve më me përvojë dhe më produktivë të skuadrës, ndërsa vetë Gnabry konfirmon përkushtimin e tij ndaj klubit më të madh gjerman. /telegrafi