Afati për ankesa përfundon sot, KQZ-ja tregon se kur do të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë një datë të saktë se kur ky institucion do të thërrasë mbledhjen e radhës për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeks online se procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave dhe se ky institucion duhet të presë përfundimin e tyre.

“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, tha Elezi.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 28 dhjetorit janë mbajtur para 40 ditësh.