Dyshime për falsifikim aktgjykimi në rastin e pronave të lidhura me Agim Ademin

Gazetari Arlind Imeri ka publikuar një dokument nga Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës që pretedohet se parcelat nr. 1838 dhe 1839 në ZK Prishtinë, para vitit 1999 kanë qenë të regjistruara në emër të “Pik Kosovo”.

Sipas Imerit, problem me këto parcela është se me aktvendim të vitit 1997 kanë kaluar në emër të Millorad Dragoviq dhe Zhivorad Dragoviq, duke u bazuar në një aktgjykim gjyqësor të caktuar: C.nr.502/96, datë 22.10.1997. Por në të njëjtin dokument thuhet se ky aktgjykim mungon në dosje.

“Pra, një vendim administrativ që ndryshon pronësinë e tokës është marrë mbi bazën e një aktgjykimi i cili është falsifikuar dhe më pas është larguar nga dosja për të pamundësuar verifikimin.

Më pas, sipas një aktvendimi tjetër të vitit 2004, po këto parcela kalojnë në emër të Agim Ademit, duke u bazuar në një kontratë shitblerjeje të vërtetuar nga Gjykata Komunale në Prishtinë. Por edhe ky veprim ndërtohet mbi një zinxhir pronësie që tashmë rezulton i kontaminuar nga mungesa e dokumentit bazë”, thuhet në shkrimin e Imerit. /Zëri