Ulutashi përmend arsyet që mund ta çojnë Kosovën në shpërthim të tensioneve të reja

Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por njëkohësisht e brishtë, me rrezik për shpërthime të tensioneve të reja, ka deklaruar komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, duke theksuar se faktorë të shumtë vazhdojnë ta bëjnë të ndjeshme stabilitetin në vend.

Ulutashi në intervistën për mediumin në gjuhën serbe Kosovo-online, ka përmendur disa nga arsyet pse situata në Kosovë ka potencial për shpërthim të tensioneve, ndër të tjera ai përmend retorikën herë pas here të papërgjegjshme dhe përdorimin e vazhdueshëm të dezinformimit, transmeton Zeri.info.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por në të njëjtën kohë e brishtë, me potencial për shpërthime të tensioneve të reja. Arsyet për këtë janë të shumta, duke përfshirë çështjet e pazgjidhura, retorikën herë pas here të papërgjegjshme dhe përdorimin e vazhdueshëm të dezinformimit. Mbi të gjitha, ekzistojnë sfida që lidhen me përparimin e procesit të normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin NATO-ja e mbështet plotësisht. Ky është një kuadër në të cilin çështjet e hapura mund të zgjidhen dhe të gjenden zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, gjë që është thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, deklaroi Ulutashi. /Zëri