Komandanti i KFOR-it tregon se a mund t’i përdorë FSK-ja dronët pa leje në qiellin e Kosovës

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka folur për situatën e sigurisë, derisa ka treguar edhe për shfrytëzimin e hapësirës ajrore për dronët e FSK-së.

Ulutashi në një intervistë për mediumin në gjuhën serbe Kosovo-Online, ka thënë se përdorimi i të gjitha kategorive të mjeteve ajrore pa pilot i nënshtrohet rregullave të rrepta dhe zonave të lëvizjes së kufizuar, transmeton Zeri.info.

Ai përsëriti se FSK-ja mund të veprojë në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

“Menaxhimi i hapësirës ajrore mbi Kosovën është nën përgjegjësinë e komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Gjatë viteve, Komandantët e KFOR-it e kanë kryer me sukses këtë rol të rëndësishëm, ndër të tjera falë bashkëpunimit të mirë me institucionet në Kosovë, i cili ka mundësuar harmonizimin e përdorimit ushtarak dhe civil të hapësirës ajrore. Përdorimi i të gjitha kategorive të mjeteve ajrore pa pilot i nënshtrohet rregullave të rrepta dhe zonave të lëvizjes së kufizuar. Çdo operacion me mjete ajrore pa pilot kërkon njoftim paraprak dhe miratim të qartë nga KFOR-i. Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me angazhimet ekzistuese midis NATO-s dhe Prishtinës, FSK-ja mund të veprojë në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të Komandantit të KFOR-it”, ka thënë Ulutashi. /Zëri