Azemi paralajmëron ndërprerje pune për kompanitë që nuk zbatojnë pagën minimale
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se nga 1 janari i këtij viti paga minimale në Kosovë duhet të jetë 425 euro, në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke paralajmëruar masa sindikale ndaj kompanive që nuk e zbatojnë këtë vendim.
Në një intervistë Azemi tha se gjatë muajit dhjetor dhe deri në mesin e janarit, sindikata ka paralajmëruar të gjitha kompanitë dhe institucionet që pagat nën 425 euro duhet të rregullohen në përputhje me vendimin qeveritar.
“Ne gjatë muajit dhjetor po edhe deri në mesin e muajit janar, kemi paralajmëruar të gjitha kompanitë dhe të gjitha institucionet të cilat e kanë pagën nën 425 euro, kemi paralajmëruar se pagat tona me 1 janar duhet të jenë pagë me 425 euro konform vendimit të Qeverisë së Kosovës. Ju e dini që paga minimale tani që nga 1 janari deri më 1 korrik është 425 euro dhe që nga 1 korriku është 500 euro që në njëfarë forme po themi nuk jemi dakorduar por është nxjerrë një vendim që duhet respektuar”, tha ai.
Ai bëri të ditur se aktualisht vetëm një kompani ka shkelur këtë vendim, ndërsa për kompanitë e tjera tha se ende është herët të flitet.
“Tani për tani kemi vetëm një kompani e cila e ka thyer këtë vendim, sepse për kompani të tjera është herët të flasim sepse ne duhet ta presim datën 5 eventualisht 6 shkurt dhe të shohim se sa kompani janë duke respektuar këtë vendim dhe sa nuk janë duke e respektuar. Ne i kemi paralajmëruar dhe tani e kemi deri në hapur se të gjitha ato kompani që nuk e bëjnë pagesën konform vendimit të ish-kryeministrit po e quaj kështu, sigurisht se na e kanë lënë derën hapur që të reagojmë dhe ne të gjitha ato kompani që nuk e bëjnë këtë pagesë, do t’ju japim afat një javë ditë, në të kundërtën normal që neve jemi të obliguar në bazë të vendimit të kryeministrit që të ndërpresin punën përderisa mos të bëhet pagesa shtesë, gjegjësisht pagesa prej 396 euro që i bie pagë neto për secilin punëtor”, tha ai.
Duke folur për nivelin e pagës minimale, ai theksoi se, sipas kalkulimeve të Sindikatës, kjo pagë nuk i mbulon shpenzimet minimale jetësore të një familjeje.
“Realisht sipas një kalkulimi që ne e kemi bërë, domethënë pagë minimale sepse paga minimale përcaktohet shpenzimet minimale të katër anëtarëve të familjes, e cila me këtë pagë faktikisht domethënë gjithçka që mbetet nën pagën 800 euro, pagë minimale nuk mund të mbulohen ato po themi kërkesat minimale, por megjithatë Qeveria ka marrë një vendim të njëanshëm, sepse ne kemi para, ne kemi dhënë versionin tonë, së paku duhet të jetë një fazë kalimtare duke filluar nga 600 euro, por megjithatë është kjo që është dhe ne duhet ta respektojmë po them deri në një ndryshim tjetër”, tha ai. /eo