Sekuestrohen një armë zjarri, para dhe mbi 120 fishekë në pikëkalimin kufitar Qafë-Prush

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar, ka realizuar një operacion kontrolli në pikëkalimin kufitar Qafë-Prush, në dalje drejt Shqipërisë, ku është sekuestruar një armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti, zyrtarët kanë gjetur të fshehur në pjesën e brendshme të tij një armë zjarri pa numër serik, si dhe rreth 120 copë municion të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu, është sekuestruar edhe një shumë parash në valutën euro.

Rasti i është dorëzuar Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, e cila ka marrë përsipër vazhdimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e masave të shtuara të kontrollit në pikat kufitare, si dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional, me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë kufitare. /Zëri