ATK-ja paralajmëron inspektime në gjithë Kosovën
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar të gjithë personat që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përpara se të identifikohen nga inspektorët tatimorë.
Nga ATK-ja theksojnë se gjatë inspektimeve, nëse evidentohen aktivitete të paregjistruara, në përputhje me legjislacionin në fuqi do të ndërmerren masa pa përjashtim, përfshirë regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit, pajisjen me Numër Fiskal, si dhe aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore të parapara.
Sipas ATK-së, regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe ndihmon në krijimin e një konkurrence të drejtë në treg.
“Po ashtu, ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mospërditësimi i informatave përbën shkelje ligjore”, thuhet në njoftim.
Administrata Tatimore e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë.