FSK-ja realizon kursin “Combat Life Saver” për kujdes mjekësor në fushëbetejë
Në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë, në kuadër të Komandës së Logjistikës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është realizuar kursi “Combat Life Saver”.
Ky kurs, siç bëhet e ditur në njoftimin e FSK-së në rrjetin social Facebook, ka për qëllim përgatitjen e personelit ushtarak me njohuri dhe shkathtësi bazike dhe të avancuara mjekësore, për të ofruar kujdes urgjent dhe efektiv në fushëbetejë, duke u bazuar në standardet e NATO-s.
“Ky trajnim synon rritjen e mbijetesës së të plagosurve përmes menaxhimit të traumave, kontrollit të gjakderdhjes, ruajtjes së rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimit të gjendjes së pacientit dhe përgatitjes për evakuim mjekësor, duke siguruar ndërhyrje të koordinuar dhe të standardizuar sipas protokolleve taktike të kujdesit paraspitalor”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e FSK-së.