Për herë të parë në Kosovë kryhet me sukses operacioni për sindromën “Eagle”

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është realizuar për herë të parë me sukses ndërhyrja kirurgjikale për sindromën “Eagle” (një patologji e rrallë dhe komplekse).

Pacienti M. D., rreth 65-vjeçar, bazuar në njoftimin zyrtar, thuhet se paraqiste simptoma klinike të vazhdueshme.

“Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal”, thuhet në njoftim.

Duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, SHSKUK-ja thekson se u vendos që ndërhyrja të realizohej në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila mundëson ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore.

Ndërhyrja kirurgjikale është realizuar me sukses, ndërsa pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm dhe aktualisht, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet për trajtim shtëpiak.

Sindroma “Eagle” shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës dhe manifestohet me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje, si dhe në raste të caktuara, me çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide.