Si u mashtruan vajzat kolumbiane për t’u kthyer në punonjëse seksi në Shqipëri, rrëfimi i 23-vjeçares

Trafikantët nuk dërgojnë vetëm kokainë nga vendet e Amerikës Latine.

Aktualisht, në Kolumbi, policia nuk po u lexon të dyshuarve akuza për trafikim ndërkombëtar droge, por për trafikimin e dhjetëra vajzave dhe grave nga Medellin dhe Bogota, të cilat janë dërguar për t’u shfrytëzuar si punonjëse seksi në Shqipëri. Ky fakt zbulohet nga gazetarja Anila Hoxha.

Me vullnet të plotë në nisje, por pa e ditur se në çfarë “rrethi ferri” do të përfundonin, qindra vajza të reja, edhe nga vende të tjera të Amerikës Latine, ranë në rrjetën e trafikantit Lukas Betancur dhe babait të tij. Ata cilësohen si drejtues të njërit prej grupeve kriminale që përdori të gjitha format e shfrytëzimit në industrinë e seksit të detyruar.

Sipas hetimeve, gati 1 milion euro llogaritet të jenë transferuar nga viktimat e këtij rrjeti, të cilat punuan si eskorta në Shqipëri dhe ushtruan prostitucion në të gjithë territorin e vendit. Vajzat u joshën, u mashtruan dhe më pas u mbajtën në skllavërinë e shfrytëzimit të trupit, për t’u qarkulluar më pas në vende të tjera si Serbia, Kroacia dhe Spanja. Për Shqipërinë, ky fenomen po kthehet në një shqetësim serioz, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit.

Rrjeti i Betancur nuk është i vetmi. Vajza nga Venezuela, Ekuadori, Brazili, Ukraina, Kina, Afganistani, Turqia dhe Rumania regjistrohen çdo ditë në dosjet e policisë shqiptare, ku përshkruhen të dhëna tronditëse për mënyrat e shfrytëzimit.

Forma e parë e rekrutimit është joshja përmes mashtrimit, me premtime për një jetë më të mirë, ose mbajtja peng përmes një borxhi të sajuar e të pakthyeshëm. Kaq mjafton që këto vajza, të moshave nga 19 deri në 40 vjeç, herë të prezantuara si masazhatore e herë të reklamuara “me dëshirë”, të ushtrojnë prostitucion në një botë të padukshme, por njëkohësisht të ekspozuar hapur në faqe eskortash.

Një prej tyre rrëfen historinë e saj:

“Quhem Valentina. Erdhi në Shqipëri me një mikeshë, e cila ishte personi që më sugjeroi të udhëtoja. Në Kolumbi, ajo ishte praktikisht një mikeshë e shtëpisë sime, ndaj vendosa të vij me të. Nuk e dija që do vija për këtë punë dhe as që ishte e ndaluar ligjërisht. Na priste një kontakt i saj. Kisha nevojë për para dhe, mbi të gjitha, kisha besim tek mikeshja ime.”

“Kur mbërritëm këtu, trafikanti na paralajmëroi se me punën që do bënim mund të kishim probleme me ligjin dhe se duhej të bënim kujdes. Madje, ai e kërcënoi mikeshën time kur na gjeti apartamentin. Na gënjyen të dyjave. Kemi ardhur në një vend për të cilin nuk dinim asgjë.”

“Dita kur policia erdhi në apartament ishte një shok për mua. Në Kolumbi, prostitucioni është i lejuar, ndaj nuk e dija që në Shqipëri është i ndaluar. Puna ime e vërtetë në Kolumbi ishte estetika, por kam një fëmijë për të rritur dhe katër anëtarë të tjerë të familjes që jetonin vetëm me rrogën time. Minimumi jetik në Kolumbi nuk mjafton për asgjë.”

“Trafikantët më bindën se këtu bëhen para dhe erdha me synimin që, kur të kthehesha në Medellin, të hapja qendrën time estetike. Qëndrova katër muaj në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe nuk munda të paguaja as qiranë e familjes sime atje, sepse paratë nuk i shihja as kur paguheshin, as kur i merrnin. Në gjithë këtë histori jam viktimë, sepse në Shqipëri prostitucioni qenka krim; tani kemi probleme me drejtësinë dhe shefi është në burg.”

Historia e 23-vjeçares është e njëjtë me atë të shumë vajzave të tjera të arrestuara në të paktën 75 operacione policore brenda një viti në Shqipëri.

Shumë prej tyre, në momentin që marrin avionin nga vendlindja, e dinë se në këmbim të parave do të punojnë si punonjëse seksi. Ato prezantohen si “eksperte”, të paguara me orë ose ditë. Pa emrin e tyre real dhe me identitete të rreme, vajzat shfaqen në platformat digjitale, duke u ofruar në vitrinat virtuale të eskortës, raporton TCH.