Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak zgjerohet, vizitat për pacientët me kancer rriten në 18%
Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak në Komunën e Prishtinës është zgjeruar me staf të ri, ka rritur ndjeshëm numrin e vizitave dhe sot funksionon shtatë ditë në javë, duke ofruar rreth 300 vizita ditore nëpër shtëpitë e pacientëve, ka deklaruar shefja e këtij shërbimi, Sahadete Kelmendi.
Ajo në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se gjatë viteve të fundit është shënuar edhe rritje e ndjeshme e numrit të pacientëve me sëmundje me kancer, ndërsa prioritet në trajtim u jepet pacientëve me kancer dhe atyre që kanë nevojë për terapi urgjente.
Kelmendi tha se shërbimi është zgjeruar përmes një projekti të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Shërbimi është zgjeruar me një projekt në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë punësuar gjashtë mjekë të kujdesit paliativ, janë dy fizioterapeutë, si dhe një psikologe klinike. Gjithë ky ekip i është shtuar stafit të shërbimit të mjekimit shtëpiak. Shërbimi i mjekimit shtëpiak ekziston që nga viti 1986. Ka funksionuar me një staf shumë të vogël deri në vitin 1992. Në vitin 1992 kur janë mbyllur të gjitha institucionet shtetërore nga regjimi i atëhershëm, edhe shërbimi i mjekimit shtëpiak e ka pasur atë fat. Ka pasur disa kriza, hapje dhe mbyllje të shërbimit, mirëpo që nga viti 2005 shërbimi ka funksionuar rregullisht deri në vitin 2020 me një orar pune nga ora 07:00 deri në orën 15:00”, tha ajo.
Ajo shtoi se nga viti 2022 shërbimi ka filluar të punojë edhe ditëve të fundjavës si dhe ditëve të festave.
Sipas saj është shënuar rritje e ndjeshme e pacientëve me kancer, nga 4% e pacientëve të cilët më herët kanë marrë shërbime, nga viti i kaluar kjo shifër është rritur deri në 18%.
“Është një statistikë e rëndësishme që vlen të theksohet, kemi një rritje të pacientëve me sëmundje malinje apo kancere. Nëse krahasohet me tre vitet e kaluara, atëherë në atë periudhë, në bazë të disa hulumtimeve dhe auditeve që i kemi bërë, kanë qenë 4% e pacientëve të cilët kanë marrë shërbime nga ne, kanë qenë me sëmundje malinje. Mirëpo, në vitin e kaluar kjo shifër është rritur deri në 18%”, tha Kelmendi.