AUV: Tërhiqet nga tregu një sasi e produktit Atpamil

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se një sasi e produktit “Aptamil”, formulë ushqimi për fëmijë, është tërhequr nga tregu në Kosovë.

Ky vendim ka ardhur pas informatave të pranuara nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili është informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), lidhur me praninë e substancës Cereulide në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Gjermania.

“Sipas njoftimit nga Autoritetet Shqiptare, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gr. ADVANC, lot: 172911, me datë skadimi 10.11.2026, në Republikën e Kosovës për kompaninë Rossmann Kosova”.

“Gjithashtu, pas inspektimit të depos së kompanisë Rossmann Kosova, inspektorët janë njoftuar se kompania është duke bërë tërheqjen edhe të APTAMIL PRE PROFUTURA DUO ADVA 800 gr., me nr. artikulli 405663100”, u tha në njoftimin e AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë, është duke bërë grumbullimin dhe bllokimin e këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.