Prokuroria autorizon Policinë për hetime paraprake lidhur me rinumërimin e votave në Obiliq

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka njoftuar se është duke e përcjellë me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij procesi janë identifikuar dyshime për mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave edhe në komunën e Obiliqit.

Në këtë kontekst, prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për fillimin e hetimeve paraprake, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe përcaktimit nëse ka pasur shkelje të mundshme ligjore nga personat përgjegjës.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin serioz të çdo rasti të dyshuar, me synim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimin e sundimit të ligjit. /Zëri