Zgjerohen hetimet për manipulimin me vota në Prizren, intervistohen 28 persona, pesë ndalohen për 48 orë
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e dyshimeve për manipulim të rezultateve zgjedhore në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.
Zgjerimi i hetimeve ka ardhur pas pranimit të informatave publike që ndërlidhen me procesin e rinumërimit të votave, ku është përfshirë tashmë edhe grupi i dytë i të dyshuarve.
Në kuadër të këtij procesi, me autorizim të Prokurorisë, janë intervistuar 28 persona të dyshuar dhe 6 dëshmitarë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë persona janë ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit zyrtar, katër persona, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa një (1) person, në cilësinë e Koordinatorit të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) për Komunën e Prizrenit, dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesave për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që shkelin ligjin./Zëri