Nga një muaj paraburgim për 15 kryekomisionarët në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë, në dy seanca dëgjimore të ndara të mbajtura dje, ka nxjerrë vendim për aprovimin e kërkesave të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesëmbëdhjetë personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Sipas Gjykatës, të dyshuarit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), dyshohet se në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e numërimit, duke falsifikuar rezultatet e votimit. Me këto veprime, sipas organit të akuzës, është cenuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor dhe vullneti i lirë i votuesve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse mbrohen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, veçanërisht duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale për të cilën dyshohen.

Me këtë vendim të pandehurit do të mbahen në paraburgim për një (1) muaj, afat i cili llogaritet nga dita e arrestimit të tyre dhe zgjat deri më 28 shkurt 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda afatit ligjor. /Zëri