AUV-i nis asgjësimin e produktit “Aptamil AR 2”, largohen nga tregu 212 pako

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se do të asgjësojë produktin ushqimor “Aptamil AR 2” – 400 gramë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pas njoftimit të pranuar nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).

Sipas AUV-it, situata është nën kontroll të plotë dhe institucionet përkatëse janë duke vepruar me përgjegjësi maksimale, ndërsa veprimet janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informacionit nga RASFF-ja.

“Nga momenti i njoftimit e deri më sot, nga tregu janë tërhequr 212 pako të produktit ‘Aptamil AR 2’ – 400 g, më datë skadimi 02.01.2027, të cilat, sipas AUV-it, ‘do të asgjësohen në përputhje me legjislacionin në fuqi’”, thuhet në njoftim.

Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me gjurmueshmërinë e shpërndarjes së produktit “Aptamil AR 2” dhe me tërheqjen e tij nga tregu, deri në eliminimin e plotë të produktit nga qarkullimi.

Në komunikatë theksohet se, pavarësisht mungesës së theksuar të inspektorëve, AUV-i garanton se “mekanizmat e sigurisë ushqimore janë funksionalë dhe se shëndeti i konsumatorëve mbetet prioritet absolut i Agjencisë”.

Në fund, AUV-i riafirmon përkushtimin e saj në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, me qëllim ruajtjen e besimit të qytetarëve, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.