Idrizi: Nisin intervenimet për sanimin e dëmeve, pas reshjeve të fundit në Vushtrri

Pas reshjeve të fundit të shiut dhe dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se kanë nisur intervenimet në terren për sanimin e gjendjes.

Sipas tij, ekipet komunale janë angazhuar në pastrimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e shtretërve të lumenjve dhe përroskave, me qëllim parandalimin e dëmeve të mëtejme dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim po vazhdon punimet për pastrimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e shtretërve të lumenjve dhe përroskave. Aktualisht, punimet janë duke u zhvilluar në fshatin Shtitaricë, ndërsa ndërhyrjet do të vazhdojnë edhe në zonat tjera ku janë evidentuar probleme”, ka deklaruar kryetari Idrizi.

Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren dhe ndërhyrjet e nevojshme në zonat e prekura nga reshjet, në koordinim me drejtoritë përkatëse.