Rishikimi i kurrikulave, Nagavci: Tash është koha për implementim
Kurrikula shkollore në Kosovë po rishikohet pas shqetësimeve të mësimdhënësve se ajo është e ngarkuar, veçanërisht në ciklin e ulët. Ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, tha se tash është koha që jo vetëm të rishikohen kurrikulat, por edhe që rekomandimet të implementohen në fillim të vitit shkollor, në shtator të këtij viti.
Nagavci tha se kurrikulat kanë filluar të hartohen në vitin 2018. Kanë qenë disa vite që kanë shërbyer jo vetëm për implementimin e tyre, por edhe për përgatitjen e mësimdhënësve për përdorimin e tyre, si dhe për të marrë reflektime nga mësimdhënësit, ekspertët dhe prindërit, pra nga të gjitha palët e përfshira.
Ajo theksoi se tash është koha që jo vetëm të rishikohen kurrikulat, por edhe që rekomandimet të implementohen në fillim të vitit shkollor, në shtator të këtij viti.
“Ka pasur rekomandime dhe ankesa të shumta, të cilat kryesisht kanë qenë për ngarkesën e fëmijëve, peshën e çantave shkollore, ngarkesën e mësimdhënësve, kërkesat e shumëfishuara, si dhe kërkesa që nuk janë të përshtatshme për moshën e fëmijëve. Nganjëherë ankesat kanë qenë edhe për rezultatet e shumta, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë pikërisht me numrin e madh të rezultateve në lëndë të caktuara”, tha ajo.
Sipas saj, kjo ka ndodhur për shkak se programet lëndore në atë kohë janë hartuar nga grupe të ndara, të cilat nuk kanë qenë të ndërlidhura ashtu siç parashihet me Kornizën Kurrikulare dhe kurrikulat bërthamë.
Ajo shtoi se rishikimi do të reflektojë edhe në lehtësi më të madhe në punë, adresim më të mirë të kërkesave dhe kohës, si dhe në shmangien e mbingarkesës së nxënësve.
Ministrja foli edhe për çështjen e zgjedhjes së drejtorit të Institutit Albanologjik.“Me keqardhje kemi konstatuar se ka shkelje të shumta dhe të vazhdueshme në raport me zgjedhjen e drejtorit dhe reagimi ynë ka qenë i domosdoshëm. Jam e bindur se ka pasur shkelje. Persona të caktuar e kanë mbajtur peng atë institut, pa krijuar mundësi të shpallet një konkurs. Pres që Prokuroria ta hetojë rastin. Patjetër duhet të përsëritet konkursi,” tha ajo. /rtk