Nagavci i drejtohet Prokurorisë për zgjedhjen e Drejtorit të Albanologjikut

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës.

“Ashtu siç kam paralajmëruar dy ditë më parë, sot përmes një shkrese i jam drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me ç’rast e kam njoftuar për shkeljet ligjore dhe kam kërkuar fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka bërë të ditur se Prokurorinë Speciale e ka informuar se personat e dyshuar, “në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore”, kanë kryer vepra penale, përfshirë: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas Nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, “Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës, sipas Nenit 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, si dhe “Bashkëkryerja, sipas Nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Në bazë të raporteve dhe dokumenteve zyrtare të pranuara deri më tani, është konstatuar se kemi të bëjmë me veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave të caktuara dhe beneficioneve të pozitës, duke mos respektuar dispozitat ligjore në fuqi dhe në tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave ligjore”, ka theksuar ajo.

Nagavci ka shtuar se pret që rasti të trajtohet nga organet kompetente dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë në përputhje me ligjin.

“Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar fuqishëm ndaj respektimit të legjislacionit, transparencës dhe parimit të meritokracisë”, ka shkruar ajo.