Prokurorja Pula: Asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin, zgjedhjet duhet të jenë të pastra
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula nga Gjakova, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe respektimin e ligjit nga të gjithë individët, pa dallim pozite apo funksioni.
“Gjatë procesit të fundit zgjedhor, unë si koordinatore, bashkë me ekipin tim, kemi monitoruar parregullsi të cilat u identifikuan pas përfundimit të zgjedhjeve, të raportuara në të gjithë territorin e Kosovës, në intensitet të ndryshëm. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, janë kryer arrestime, përfshirë edhe individë që shërbenin si komisionerë dhe dyshohet se kanë manipuluar votat. Këto veprime nuk janë simbolike; ato bazohen në prova, janë të nxitura nga ligji dhe janë ekzekutuar sipas procedurave ligjore,” ka deklaruar Pula.
Ajo ka shtuar se: “Le të jemi të qartë: asnjë individ, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk qëndron mbi ligjin dhe integriteti i procesit zgjedhor është i panegociueshëm. Prokurori i shtetit ka demonstruar deri tani profesionalizëm, paanashmëri dhe guxim institucional në adresimin e këtyre veprave penale.”
Pula ka theksuar se transparenca dhe llogaridhënia janë mjetet më të fuqishme kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, duke përfshirë edhe manipulimin e votave. “Veprimet tona dërgojnë një mesazh të qartë dhe të pakontestueshëm: çdo vepër penale kundër të drejtave të votimit do të zbulohet, përveç atyre që tashmë janë identifikuar, siç është falsifikimi i rezultateve të votimit,” ka shtuar ajo.