E kryer, Visar Bekaj rikthehet te Tirana
Visar Bekaj është lojtar i Tiranës. Portieri i Kombëtares së Kosovës ka arritur marrëveshje me klubin bardheblu dhe pritet që zyrtarizimi të bëhet shumë shpejt.
Bekaj ka nënshkruar kontratë për 1 vjet e gjysmë me një klauzolë shkëputjeje gjatë verës, e cila i hap rrugë një transferimi të mundshëm jashtë vendit.
Telegrafi mëson se ai do të jetë lojtari më i paguar në ligë, me një pagë mujore që kalon 15 mijë euro.
Ky është një rikthim për portierin kosovar te Tirana, klub me të cilin ka pasur paraqitje shumë të mira në të kaluarën, duke mbajtur madje edhe shiritin e kapitenit. Performancat e tij e bënë një nga figurat kryesore të skuadrës në atë periudhë.
Nga Tirana, Bekaj u transferua në Turqi te Hatayspor, ku qëndroi për dy sezone, duke fituar përvojë në një kampionat më të fortë. Më herët në karrierë, ai ka mbrojtur edhe ngjyrat e FC Prishtinës.
"Ishte nder të luaja për këtë klub" - Visar Bekaj largohet nga Hatayspor pas dy vitesh e gjysmë
Portieri 26-vjeçar është gjithashtu pjesë e Kombëtares së Kosovës, ku ka qenë rregullisht i grumbulluar, ndërsa rikthimi i tij te Tirana shihet si një lëvizje e duhur dhe një sinjal i qartë për ambiciet e klubit kryeqytetas për t'i shpëtuar rënies.