Platforma “Liria ka Emër” merr leje zyrtare nga Komuna e Prishtinës për marshin e 17 shkurtit

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka siguruar lejen zyrtare nga Komuna e Prishtinës për shfrytëzimin e hapësirës publike, me qëllim të organizimit të marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë”.

Marshi do të mbahet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje të plotë me kërkesën e paraqitur nga organizatorët dhe me legjislacionin në fuqi.

Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, leja është dhënë për përdorimin e hapësirës publike në orarin e kërkuar, duke garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi paqësor, si shprehje e kërkesës për drejtësi të paanshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vite.

“Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, thuhet në njoftimin e Platformës “Liria ka Emër”.