Netanyahu e quan Ramën mik të madh: Shqiptarët mbrojtën qindra hebrenj, kjo është histori që frymëzon filma

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është takuar me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ku ky i fundit në një konferencë të përbashkët për media e quajti kryeministrin shqiptar mik të madh të Izraelit, por edhe të tij, duke nënvizuar se mbështetja e Shqipërisë ndaj hebrenjve është histori që frymëzon dhe filmat.

Ai më tej foli për bashkëpunimin mes dyja vendeve, duke thënë se Shqipëria edhe u rreshtua krah Izraelit kur u sulmua.

“Kryeministri Rama është një mik i madh i shtetit hebre, dhe mund të them një mik i madh i imi. Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta njerëzit nuk e dinë, por njerëzit duhet ta dinë se Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë Holokaustit pati një popullsi hebre brenda Shqipërisë që u rrit, u rrit sepse myslimanët shqiptarë në frymën e moderimit, të tolerancës dhe dinjitetit njerëzor mbrojtën qindra hebre që jetonin në Shqipëri e kështu mirëpritën dhe shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni, kjo është ajo histori që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma, njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm dhe moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore. Kjo është ajo frymë që ju vazhdoni ta ushqeni dhe sot, miku im i mirë Edi, ju qëndroni me kurajo kundër atyre që duan t’ju zmbrapsin, ju qëndruat krah Izraelit kur u sulmuam nga barbarët dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe ju shënjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj”, tha ai.

Netanyahu tha se marrëdhëniet Shqipëri – Izrael janë të shkëlqyera dhe se kjo do të çohet para edhe me hapjen e dhomës së tregtisë që do të bëhet nesër në Jerusalem.

Madje ai tregoi sugjerimin ndaj izraelitëve që të vizitohet Shqipëria si një vend i mrekullueshëm e me njerëz të mrekullueshëm.

“Jo çuditërisht ne po ndërtojmë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Izraelit dhe Shqipërisë, numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur në 800 për qind, ndoshta 1 mijë dhe së shpejti do të bëhen më shumë. U them izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, me njerëz të mrekullueshëm, shkoni atje. Së dyti kemi kompani investuese izraelite që dinë që ka mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët dhe kjo do të bëhet edhe me hapjen e dhomës së tregtisë në Jerusalem nesër me praninë e kryeministrit Rama dhe kjo është diçka që do të çojë përpara lidhjet ekonomike”, tha ai.