KQZ-ja vazhdon rinumërimin, hyn në javën përmbyllëse
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim.
Nga fillimi i procesit më 13 janar 2026 dhe deri sot, 26 janar janë rinumëruar 1.729 vendvotime nga gjithsej 2.557, që përbën 67.62% të totalit të votave.
KQZ-ja planifikon që deri në fund të këtij muaji të përfundojë procesin e rinumërimit në mënyrë që t’i hapet rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të shkuar, çka planifikon që ta bëjnë në fillim të shkurtit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në rinumërim të shkojnë të gjitha vendvotimet në nivel vendi pasi u evidentuan manipulime me vota të kandidatëve.
Nën dyshimet për këtë vepër penale sot i është caktuar masa e paraburgimit 23 personave që ishin në mesin e 109 të ndaluarve në Prizren, pas aksionit të Prokurorisë Themelore atje, lidhur me dyshimet për falsifikim rezultatesh.
Prokuroria e Shtetit ka kërkuar mbledhje informatash e provash nga Prokuroritë Themelore në mbarë vendin për të parë nëse ka elemente të kryerjes së kësaj vepre penale e sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës.