Në Suharekë mërgimtarët kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të Njësisë së Zjarrfikësve

Komuna e Suharekës ka përfituar një donacion të vlefshëm pajisjesh dhe veshmbathjeje për Njësinë e Zjarrfikësve, falë kontributit të bashkatdhetarit Albin Morina nga fshati Reshtan, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka shprehur mirënjohje të veçantë për këtë mbështetje, duke vlerësuar kontributin e mërgimtarëve në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e sigurisë publike në komunë.

Donacioni është realizuar përmes bashkëpunimit të Albin Morinës me kompaninë e transportit Gani Transport, e cila ka mundësuar bartjen e pajisjeve nga Zvicra në Suharekë.

Sipas njoftimit, Komuna e Suharekës po vazhdon investimet në rritjen e sigurisë publike, ndërsa në një të ardhme të afërt pritet edhe funksionalizimi i objektit të ri për zjarrfikësit, me synimin për ofrimin e shërbimeve më efikase dhe menaxhimin sa më të mirë të rasteve emergjente.

Nga Komuna u bë e ditur se kontributet e mërgimtarëve vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin dhe mirëqenien e vendlindjes, duke ndihmuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.