Kurti: Në qeverisjen tonë kombinuam “trekëndëshin” filozofik - Kantin, Millin dhe Aristotelin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shpjeguar se qeverisja e tij ka ndjekur një model të integruar filozofik, ku drejtësia normative kantiane, utilitarizmi i John Stuart Millit dhe etika e virtytit të Aristotelit kanë shërbyer si bazë për vendimmarrje dhe marrëdhënie me qytetarët.
Në një deklaratë të bërë në Davos, Kurti ka theksuar se drejtësia kantiane ka qenë udhërrëfyes në vendimmarrje, duke e konsideruar morali si burim të veprimit, ndërsa utilitarizmi i Millit ka shërbyer për të synuar lumturinë maksimale për shumicën. Ky kombinim, sipas tij, është integruar në procesin e qeverisjes dhe në mënyrën se si institucionet bashkëpunojnë me qytetarët.
Sa u përket zyrtarëve shtetërorë, Kurti ka shtuar se janë ndjekur parimet e etikës së virtytit të Aristotelit, duke vënë theksin te rëndësia e udhëheqësve të virtytshëm në pozita kyçe, por gjithmonë të lidhur me popullin dhe përgjegjësinë ndaj tij, transmeton Zeri.info.
Ai ka përshkruar këtë qasje si një “trekëndësh” filozofik: Kant–Mill–Aristotel, i cili, sipas tij, është zbatuar me sukses në politikëbërje dhe në menaxhimin e burimeve njerëzore, duke dëshmuar se ka qenë i dobishëm për qeverisjen.
“Në qeverisjen tonë, kombinuam drejtësinë normative kantiane (morali si burim i veprimit) me utilitarizmin e John Stuart Millit (lumturi maksimale për shumicën), duke i integruar këto në vendimmarrje dhe marrëdhënie me njerëzit. Për zyrtarët shtetërorë, ndoqëm etikën e virtytit të Aristotelit, duke theksuar rëndësinë e udhëheqësve të virtytshëm në pozita kyçe, por gjithmonë të lidhur me popullin. Ky “trekëndësh” Kant–Mill–Aristotel u zbatua me sukses në politikëbërje dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, duke treguar që ishte i dobishëm”, tha Kurti. /Zëri