SHKK-ja demanton raportimet për mungesë kapacitetesh në burgje: Ka rreth 800 shtretër të lirë në institucionet korrektuese

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka demantuar raportimet në disa media për mungesë kapacitetesh në institucionet korrektuese, duke sqaruar se aktualisht në këto institucione po mbahen gjithsej 1.758 të burgosur.

Sipas njoftimit zyrtar të SHKK-së, institucionet korrektuese kanë rreth 800 shtretër të lirë, çka tregon se ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja. “Pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë”, thuhet në reagim, duke theksuar se hapësirat aktuale janë të mjaftueshme për funksionim normal, transmeton Zeri.info.

Ky sqarim, sipas SHKK-së, është bërë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit lidhur me gjendjen në institucionet korrektuese.

Po ashtu, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka rikujtuar se ka një marrëveshje mirëkuptimi me Policinë për bashkëveprim institucional. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, varësisht nga situatat e krijuara, palët mund të shfrytëzojnë përkohësisht objektet e njëra-tjetrës.

Ky reagim erdhi, pasi disa media kanë raportuar se sot janë arrestuar mbi 100 persona për manipulim me vota, ndërsa sipas tyre, nuk kishte vende në burgjet e Kosovës. /Zëri