Aksioni për manipulim votash, arrestohet një komisioner i partisë së Emilija Rexhepit në Prizren

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren po zhvillojnë një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

Nga ky aksion një person është arrestuar nën dyshimin për manipulim votash.

Lajmin për Tëvë1 e ka konfirmuar avokati i të dyshuarit, Blend Gjini, i cili përfaqëson klientin e tij në këtë çështje.

Gjini bëri të ditur se i dyshuari është komisioner i partisë së Emilija Rexhepit dhe e konsideron arrestimin si të paligjshëm.

“Është arrestuar për manipulim të votave, nuk ka asnjë provë që lidhet me këtë çështje të manipulimit. Është e çuditshme për mua si avokat imponimi i dorëzimit të telefonit menjëherë. Klienti e ka dorëzuar telefonin vullnetarisht dhe arrestimit. Arrestimi është i paligjshëm, prokuroria ka marrë vendim që të ndalohet për 48 orë”, tha Gjini.

Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi hetimin.