Ambasadori i Gjermanisë viziton komunat veriore, takohet me kryetarët e rinj
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, së bashku me zëvendësin e tij Christian Böttcher, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, ku janë takuar me kryetarët e sapozgjedhur dhe ekipet e tyre.
Ambasada ka njoftuar se gjatë takimeve, është zhvilluar një shkëmbim i frytshëm mendimesh lidhur me sfidat aktuale, me të cilat përballen këto komuna, si dhe perspektivat dhe mundësitë për të ardhmen. Palët kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë në shqyrtimin e ideve që synojnë nxitjen e rritjes ekonomike dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, në përputhje me angazhimin ndaj të gjitha komunave të Kosovës.
Vizita përfshiu edhe një ndalesë me karakter kulturor, ku delegacioni vizitoi Manastirin Devine Vode, i cili u vlerësua si një pikë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të rajonit.
Ambasada theksoi se mbetet e përkushtuar për të mbështetur dialogun, bashkëpunimin lokal dhe iniciativat që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin në Kosovë. /Zëri