Kurti në Davos takon Ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë të Estonisë, diskutohet bashkëpunimi në teknologji dhe energji
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, janë takuar sot në Davos me Ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë të Estonisë, Erkki Keldo, në kuadër të një takimi dhe dreke pune të mbajtur në Shtëpinë e Kosovës.
Gjatë takimit, sic ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti vlerësoi lart partneritetin dhe bashkëpunimin me Estoninë, si vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti për integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Ai theksoi se Kosova dhe Estonia ndajnë realitete të ngjashme të sigurisë, si dhe një përkushtim të përbashkët ndaj sovranitetit, demokracisë dhe qëndrueshmërisë institucionale.
Tutje thuhet se, biseda u fokusua edhe në përvojën e suksesshme të Estonisë në fushën e teknologjisë, me theks të veçantë në mundësitë për shkëmbim të përvojave dhe thellim të bashkëpunimit në shërbimet digjitale, inovacion, infrastrukturë dhe energji.
Në përmbyllje, Kurti falënderoi ministrin Keldo për takimin dhe diskutimet konstruktive, duke riafirmuar gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve. /Zëri